Select Page

Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare do të mbahet në Tiranë në muajin nëntor

Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare do të mbahet në Tiranë në muajin nëntor

Komuniteti shqiptar në SHBA i ka kushtuar një vëmendje tepër të veçantë vizitës së delegacionit të qeverisë shqiptare, kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, në Nju Jork dhe Uashington. Komuniteti shqiptar në SHBA është një vlerë e shtuar dhe me kontribut të vyer në prezantimin e traditave shqiptare dhe shqiptarisë, në këtë vend të madh të lirisë dhe demokracisë, mik dhe partner strategjik i vendit tonë.

Në takimet e zhvilluara me komunitetin shqiptar në Nju Jork e Uashington D.C, Kryeministri Rama nënvizoi kontributin esencial dhe përpjekjet e suksesshme historike të Diasporës, në të gjitha kohërat dhe në këtë moment të shkëlqyer të marrëdhënieve aktuale mes popujve dhe shteteve. Ai vlerësoi gjithashtu kujdesin, ndihmën e pakursyer dhe rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në historinë e Shqipërisë dhe Kosovës në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Duke u ndalur në potencialet, resurset, energjitë e komunitetit shqiptar në SHBA, ai vlerësoi angazhimin e tyre në ruajtjen e vlerave e dashurisë për atdheun dhe theksoi se mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim.

Një moment i rëndësishëm i kësaj vizite ishte takimi i përbashkët mes përfaqësuesve shqiptarë e hebrenj të Diasporave në SHBA, personaliteteve të botës ekonomike, politike e kulturore, organizuar në bashkëpunim me deputetin me origjinë shqiptare të Shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, Prokurorin e Përgjithshëm Schneiderman si dhe Senatorin Klein.

Kryeministri Rama çmoi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, duke nënvizuar historinë e vështirë të të dy popujve, suksesin e tyre në vendin e lirisë dhe shembullin efikas të rolit të Diasporës hebraike, si model për veprim e organizim të komunitetit shqiptar në SHBA.

Për t’i dhënë një impuls konkret e pozitiv rolit e përpjekjeve të Diasporës për të kontribuar direkt në zhvillimet sociale, ekonomike e politike në Shqipëri dhe organizimin e saj në mbarë botën, Kryeministri Rama njoftoi mbajtjen e Samitit të Parë të Diasporës shqiptare më 13 nëntor në Tiranë.

Ky Samit do të mbledhë në Tiranë shoqata shqiptare, personalitete të shquara dhe anëtarë të thjeshtë bashkëkombës nga të gjitha kontinentet, me synim krijimin e një ure solide bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar në botë, si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet ku ata jetojnë.

Eagle Nest

Multimedia

Loading...

Etno Shop